Maturantët ekselentë nderohen me Medaljen e Artë në Kryeministri, Rama: Jeni shembull frymëzues edhe për mua
Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në mjediset e Kryeministrisë maturantët ekselentë nga i gjithë vendi, të cilët kanë shkëlqyer me rezultatet e tyre në mësime, duke merituar Medaljen e Artë të cilën ua dorëzoi Kryeministri së bashku me certifikatën shoqëruese.
Në ceremoninë, e cila është kthyer në një traditë vjetore të vlerësimit të ekselencës akademike, ishte edhe Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e cila ndau me të rinjtë mesazhe frymëzuese nga vepra “Letër bijës time” e shkrimtares Maya Angelou, teksa theksoi se suksesi është rezultat i përpjekjes së vazhdueshme dhe i zgjedhjes për të ndjekur rrugën e dijes.
Kryeministri Rama nënvizoi se numri i medaljeve të arta këtë vit është më i larti që nga krijimi i këtij eventi, një tregues i qartë i rritjes së performancës akademike, i cili përkon edhe me rritjen e numrit të studentëve shqiptarë që pranohen në universitete prestigjioze ndërkombëtare.
Kryeministri uroi të rinjtë për rrugëtimin e tyre të ardhshëm, duke i inkurajuar të ndjekin ëndrrat me guxim dhe këmbëngulje, si dhe të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre dhe kontributin që, në të ardhmen, mund t’i japin Shqipërisë.
“Ky është momenti kur kjo sallë ka brenda më shumë tru sesa asnjëherë tjetër. Është një ceremoni tradicionale që është dhe momenti më i bukur i fundvitit për mua këtu në këtë zyrë, sepse besoj që nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh detyrën të vlerësosh mundin, përpjekjen dhe rezultatet e njerëzve si ju. Sot, ju keni plotësisht të qartë se çfarë përfaqëson suksesi juaj. Me siguri keni të qartë pjesën që ka të bëjë me prindërit. Keni të qartë pjesën që ka të bëjë me vëllezërit, me motrat, me gjyshen, gjyshin, të cilët pa diskutim, rezultati juaj i bën shumë të lumtur, por nuk besoj se keni plotësisht të qartë atë që ky rezultat dhe ky sukses do të thotë për shoqërinë tonë, do të thotë për të gjithë brezin tuaj dhe s’ma ha mendja se juve e mendoni se çfarë do të thotë për mua personalisht”, tha Rama.
Ai u shpreh se për ne të gjithë si njerëz, pavarësisht moshës, pavarësisht statusit, pavarësisht vendndodhjes, shembujt janë shumë të rëndësishëm.
“Shembujt janë shumë të rëndësishëm për të na nxitur që të vazhdojmë më tutje. Dhe shembujt na nxisin në forma të ndryshme dhe nga drejtime të ndryshme. Shembulli i një fqinji që mbjell lule dhe bën që oborri i tij të duket bukur, na nxit që edhe ne të mbjellim lule, që të bëjmë të bukur oborrin tonë dhe kështu me radhë. Dhe besoj që shembujt na ndikojnë dhe i kemi shumë të nevojshëm. Shembulli juaj, mua personalisht, edhe këtë nuk është se e them për herë të parë, e them sa herë ndodh kjo ngjarje, sepse është diçka që e përjetoj realisht dhe ndjej një kënaqësi shumë të madhe kur duhet të firmos gjithë ato certifikatat që shoqërojnë medaljen, pasi mundohem të marr me mend jetën tuaj, mundohem të marr me mend familjet, mundohem të marr me mend se sa shumë prej jush jetoni në familje krejt të zakonshme ose patjetër disa prej jush jetojnë në familje që kanë vështirësi reale për të arritur fundin e muajit. Dhe thënë kjo, i keni të gjitha justifikimet për të mos dalë me medalje ari, i keni gjithë justifikimet, po t’i kërkoni justifikimet, për të mos dalë me rezultate të mira. I keni justifikimet madje edhe për të mos shkuar në shkollë fare”, deklaroi kryeministri.
Duke vlerësuar më tej nxënësit ekselentë, ai theksoi se “dallimi i madh që bëni ju, është pikërisht ky; që nuk shkoni në kërkim të justifikimeve, po shkoni në kërkim të suksesit”.
“Dhe për këtë arsye, juve jeni shembull frymëzues edhe për mua personalisht dhe unë ju falënderoj me mirënjohje për këtë. Më thanë që këtu ka një djalë që vjen nga Pogradeci dhe është vëllai binjak i një djali tjetër që nuk e merr medaljen e artë njësoj si ky i pari, sepse ka marrë vetëm një 9. Është një 9 që faktikisht bën që në atë shtëpi ku janë dy vëllezër binjakë ekselentë, sot të shkojë vetëm një medalje. Nuk dua t’i them djalit që do marrë medaljen asgjë, po duhet t’i them atij që nuk do ta marrë medaljen, që ajo 9-ta nuk e bën aspak që të ndihet i dyti pas të vëllait. Dhe unë qofsha i gabuar, po unë kam bindjen që ajo 9 do ta ndihmojë që në pjesën tjetër të rrugës ta kalojë vëllain.
Do përpiqem që të gjej një zgjidhje edhe për vëllain. Nuk i japim dot një medalje, se nuk na takon, por do ta gjejmë një zgjidhje që edhe ai të mos mjaftohet vetëm me fjalët e tua por ta ketë një shenjë për ta lënë në shtëpi për prindërit, edhe për ata që do vijnë nesër. Ju tani jeni akoma në një fazë që nuk e mendoni që nesër do keni fëmijë dhe do keni histori për t’iu treguar fëmijëve. Po s’ka problem se këtë e mendoj unë, kështu që do ta gjejmë një zgjidhje”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh më tej se sot ne kemi numrin më të madh të medaljeve të arta në gjithë këtë periudhë që kurse kemi krijuar këtë event tradicional.
“Ajo që na kënaq më shumë është që ky numër i rritur medaljesh të arta përkon edhe me numrin e rritur të studentëve shqiptarë që arrijnë të hyjnë në universitetet më prestigjioze të botës, por nga ana tjetër përkon edhe me çfarë kemi marrë së fundmi nga testimet që janë bërë. Juve, natyrisht, jeni ajka e ajkës, por në të gjitha rastet, ajka e ajkës flet për vete, por flet edhe për rritjen e cilësisë së përgjithshme të produktit. Natyrisht që medalja juaj është rezultat i përpjekjes suaj personale, e një përpjekjeje që është e përditshme, edhe që është e vështirë, e tha përpara meje vajza që në mjedisin e ditëve të zakonshme dhe e njerëzve të zakonshëm, se ju nuk jeni njerëz të zakonshëm, është e vështirë të mbrosh pozicionin tënd, kur pozicioni yt është një pozicion i veçantë, edhe të mbrosh pozicionin e një nxënësi me dhjeta, që do të thotë një të riu apo një vajzë e të re, që zgjedh të studiojë edhe ta kufizojë veten nga të tjera aktivitete nuk është aspak e lehtë”, tha Rama, i cili vlerësoi më tej rolin e madh të prindërve, familjeve dhe mësuesve në arritjet e nxënësve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




