Vlorë, shkrumbohet banesa te “Plazhi i Vjetër”
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin bregdetar të Vlorës, ku një banesë është përfshirë nga flakët dhe është djegur pothuajse plotësisht. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “1 Maji”, shumë pranë zonës së njohur si “Plazhi i Vjetër”.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, të konfirmuara edhe nga pamjet e transmetuara nga gazetarja e RTSH 24, banesa në pronësi të qytetares Doloresa Buqe ka pësuar dëme të pariparueshme, duke u “shkrumbuar” nga intensiteti i lartë i zjarrit.
Menjëherë pas njoftimit, në zonë kanë mbërritur mjetet dhe efektivat e Zjarrfikëses së Vlorës. Ata kanë ndërhyrë me shpejtësi duke arritur të shuajnë zjarrin, por fatkeqësisht banesa kishte pësuar tashmë dëme masive në strukturë dhe orendi.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Nga të dhënat paraprake të grupit hetimor, pista kryesore ku po hetohet është ajo aksidentale. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, e cila favorizuar nga materialet në banesë, ka marrë përmasa të mëdha brenda pak minutash.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar në njerëz, por vetëm për dëme të konsiderueshme materiale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




