Kosova mban zgjedhjet më 28 dhjetor, Çejku: Kurti i ka kthyer rrethanat në favor të tij
Kosova po përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare këtë të diel, më 28 dhjetor. Ish-ambasadori Arben Çejku, i ftuar në emisionin “3D” në RTSH, u shpreh se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur të kthejë të gjitha rrethanat politike në favorin e tij.
Sipas Çejkut, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk janë më nën presion si më parë, ndërsa Bashkimi Europian ka hequr sanksionet ndaj Kosovës.
“Vetë Albin Kurti arriti t’i kalojë vështirësitë që pati. Pra marrëdhëniet me SHBA nuk janë më siç ishin më parë, minimalisht nuk ka presion. Heqja e sanksioneve të BE. Albin Kurti i ktheu rrethanat në favor të tij. Kemi disa vizita të Presidentes Osmani që në fund të fundit ka shërbyer si ministre e Jashtme e Albin Kurtin. Kemi një qasje të re të Albin Kurtit në retorikën e tij, i cili vjen pasi e ka dërrmuar opozitën në kalkulimet për të ndërtuar një mazhoranca. E ruajti votën e tij në zgjedhjet lokale që për mua ishte një farë habie sepse mendova që do ndëshkohej për të gjithë atë sjellje disa mujore që ai bëri ndaj institucioneve të Kosovës. Albin Kurti, me datën 28 të dielën, ka çfarë t’u ofrojë qytetarëve”, u shpreh ai.
Duke folur për opozitën, ai vuri në dukje se PDK ka ndryshuar kreun në mënyrë të sforcuar, ndërsa LDK mbetet në një qëndrim amorf, pa arritur rritje apo bashkim të brendshëm.
“Çfarë bëri opozita. Në mënyrë të sforcuar u ndërrua kreu i PDK-së. Ishte një ndryshim pozitiv, por LDK-ja është në një qëndrim amorf dhe lideri i LDK-së nuk ka sjellë ndonjë rritje të LDK-së dhe as bashkim. Ka fraksione të mëdha në LDK që ende nuk janë bashkuar”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




