Bullgaria prezanton Euron në 2026, mes sukseseve ekonomike dhe trazirave politike

Bullgaria ka shënuar një moment historik në rrugëtimin e saj evropian. Duke filluar nga 1 janari 2026, ajo do të bëhet anëtarja e 21-të e Eurozonës, një hap që zyrtarët e cilësojnë jo thjesht si ndryshim monedhe, por si një “zgjedhje strategjike” gjeopolitike.
Me këtë lëvizje, Bullgaria lë pas vetëm gjashtë shtete të BE-së jashtë bllokut të monedhës së përbashkët (Suedinë, Poloninë, Çekinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Danimarkën), duke forcuar pozitat e saj në strukturat vendimmarrëse të kontinentit.
Christine Lagarde, Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, e ka përshëndetur këtë hap duke theksuar se euro “forcon themelet ekonomike të Bullgarisë dhe rezistencën e saj ndaj goditjeve globale”.
Treguesit makroekonomikë flasin qartë në favor të Sofjes. Inflacioni ka rënë ndjeshëm në 2.8% (nga 13% që ishte në vitin 2022), ndërsa borxhi publik është ndër më të ulëtit në Evropë, rreth 24% të PBB-së. Gjithashtu, monedha vendase, Leva, ka qenë e lidhur me kurs fiks me Euron që nga viti 1999, duke e bërë kalimin teknikisht më të butë.
Megjithatë, Norbert Beckmann nga Fondacioni Konrad Adenauer paralajmëron se ekonomia bullgare ka ende shumë rrugë për të bërë për të kapur ritmin e Perëndimit.
“Niveli i pagave në Bullgari është ende vetëm 59% e mesatares së BE-së,” thekson ai, duke bërë thirrje që rritja e të ardhurave të mos fryhet artificialisht përmes huamarrjes.
Ndërsa ekonomia performon mirë, skena politike është në kaos. Vendi ka kaluar shtatë palë zgjedhje parlamentare që nga viti 2021 dhe qeveria e fundit dha dorëheqjen më 11 dhjetor mes protestave masive.
Bullgaria mbetet një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara të BE-së. Ekspertët si Guntram Wolff nga qendra “Bruegel” paralajmërojnë se rreziku kryesor pas hyrjes në Eurozonë është relaksimi i disiplinës buxhetore nga politikanët, të cilët mund ta shohin kufizimin e shpenzimeve si më pak detyrues.
Hyrja në Eurozonë ka përçarë opinionin publik. Ndërsa mbështetësit shohin investime dhe integrim, skeptikët druajnë rritjen e çmimeve. Kjo frikë është ushqyer ndjeshëm nga fushata dezinformimi, për të cilat ekspertët thonë se kanë origjinë ruse.
“Duke hyrë në euro, Bullgaria ankorohet thellë në Evropën Perëndimore,” thotë Wolff, duke shtuar se Rusia po përpiqet aktivisht ta mbajë vendin në sferën e saj të ndikimit përmes luftës hibride.
Pavarësisht pasigurive, rruga duket e pa-kthyeshme. Siç thekson Beckmann, partitë që mbështesin integrimin perëndimor kanë pasur gjithmonë shumicën, duke garantuar se Bullgaria, me gjithë sfidat, po shkon drejt bërthamës së Evropës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



