I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Gjermani 60-vjeçari shqiptar

Vijon operacioni i koduar “The Wanted” për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të fazës së radhës, autoritetet kanë arrestuar në Gjermani një shtetas shqiptar, i kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve gjermane, u lokalizua dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Shqipëri shtetasi H. M., 60 vjeç. Ai akuzohet se, përmes falsifikimit të dokumenteve, ka përvetësuar një apartament në qytetin e Vlorës, të cilin më pas e ka prishur dhe ka ndërtuar një objekt tjetër me përmasa më të mëdha.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 19.06.2022, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Sipas hetimeve, H. M. dyshohet se ka falsifikuar lejen e ndërtimit për të përvetësuar apartamentin e shtetasit J. M., duke shkaktuar dëme të konsiderueshme pronësore.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




