Rama në konferencën e fund vitit: Çdo biznes do të ofrojë pagesa elektronike, investime të reja në arsim dhe infrastrukturë

Politikë | 10 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së fund vitit, prezantoi një pasqyrë të zhvillimeve kryesore të vitit 2025 si dhe prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim, duke u ndalur te rritja ekonomike, zhvillimi i turizmit, investimet infrastrukturore dhe reformat në arsim.

Një nga pikat kryesore të konferencës ishte ulja e përdorimit të parasë cash në ekonominë shqiptare. Rama theksoi se deri në qershor të vitit të ardhshëm, të gjitha bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe transportit do të duhet të ofrojnë forma alternative pagesash, përfshirë kartat bankare dhe pagesat elektronike. Sipas tij, brenda vitit të ardhshëm, kjo praktikë do të shtrihet në çdo biznes në vend, për t’u ardhur në ndihmë si qytetarëve ashtu edhe turistëve.

“Kemi hapur një kapitull të tjetër me nevojën për të ulur keshin, në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite por ajo që dua të theksoj deri në qershor të vitit të ardhshëm çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit duhet të garantojnë edhe forma të tjera për pagesat për qytetarët. Dhe brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantoj forma alternative të pagesave në mënyrë që kushdo qoftë vendas apo turist të paguaj më kartë apo me pagese elektronike”, tha Rama

Në fushën e arsimit, Kryeministri vlerësoi progresin e bërë në modernizimin e shkollave dhe integrimin e teknologjisë. Aktualisht, 350 shkolla janë pajisur me laboratorë inteligjentë, ndërsa objektivi është arritja e 1000 laboratorëve deri në vitin 2027. Ai bëri të ditur gjithashtu se ka vijuar ndërtimi i infrastrukturës arsimore dhe ka nisur projekti i transportit shkollor me mjete të prodhuara në vend.

Sipas Ramës, këto masa janë pjesë e një vizioni më të gjerë për modernizimin e vendit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Në lidhje me arsimin , më vjen shumë mirë kemi bërë hapa të rëndësishëm në arsim duke filluar nga fuqizimi i sistemimit te teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 shkolla numri i pikave të laboratorëve inteligjent dhe do të punohet për të arritur objektin e shpallur me 1000 laborator brenda vitit 2027. Ka vazhduar ndërtimi i infrastrukturës arsimore, ka filluar projekti i transportit me mjete të prodhuara në vend dhe nga sezoni i ardhshëm arsim do të fusim në përdorim mjetet për mësuesit dhe nxënës në bazë të distancave. Ndërkohë është nënshkruar marrëveshja për smartcity që është një marrëveshje e sigurisë për shkollat”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme