Berisha paraqitet në SPAK: Arrestimi i Maduros, fitore për njerëzit e lirë. Gjatë 2026-ës, opozita në protesta e kryengritje paqësore

Politikë | 10 muaj më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ka qenë sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në kuadër të masës “detyrim paraqitje”.

Në një deklaratë për medie pas paraqitjes në SPAK, Berisha komentoi arrestimin e presidentit të rrëzuar të Venezuelës Nicolas Maduro dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë në protestën e mbrëmshme (4 janar) të organizuar nga “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë.

Berisha përshëndeti arrestimin e Maduros duke e konsideruar atë si një fitore për njerëzit e lirë.

“Rama zhvillon farsë elektorale si Maduro. Një nga shkaqet që Maduro u arrestua, ishte fakti se ai nuk zhvillon zgjedhje, Rama zhvillon farsë elektorale.

Kam përshëndetur arrestimi dhe ndëshkimin e Maduros si fitore për njerëzit e lirë. Por nuk kam deklaruar e forcat Delta do vijnë të arrestojnë Ramën”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati u ndal më tej te tensionet e përplasjet në protestën e “Shqipëria Bëhet”, duke dënuar atë që e cilësoi si dhunë policore dhe duke e konsideruar si një akt të shëmtuar.

“E kam dënuar me forcën më të madhe dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga “Shqipëria Bëhet”, Akt i shëmtuar. Rama i tmerruar nga çdo protestë”, tha Berisha.

Kryedemokrati paralajmëroi ndër të tjera se aksioni opozitar gjatë këtij viti do të vijojë me protesta, kryengritje e revolta të cilat sikurse tha ai, do të jenë paqësore.

“Fitore do sjell 2026, largimin e Ramës dhe votën e lirë për shqiptarët. Me protestat më të fuqishme që ka njohur vendi. Të gjtiha format e protestave janë të mundshme. E kemi betejë vendimtare këtë.

Kryengritje, revolta paqësore do kemi”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme