Moti i keq- Drejtori i ARRSH: Strukturat në gatishmëri të plotë. Situatë problematike në Kukës, Valbonë, Gjirokastër dhe Tepelenë
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, gjatë një inspektimi në Qafë Thore, deklaroi se strukturat janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatave të vështira të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.
Ai nënvizoi se deri tani nuk ka raportime për bllokime ekstreme, por qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se po kalojmë kushte të vështira për shkak të reshjeve të dendura të shiut.
“Masat janë marrë plotësisht. Jemi në kontakt me të gjitha institucionet, policinë, urgjencat, në raste të bllokimeve ekstreme, për të cilat deri tani nuk kemi raportime. Duhet të ndërgjegjësohemi që po kalojmë kushte ekstreme moti, veçanërisht nga reshjet e shiut. Masat janë marrë paraprakisht. Nga data 15 nëntor jemi në gatishmëri të plotë dhe vazhdon deri më 15 mars. ARRSH, në bashkëpunim me policinë, emergjencat civile, është në komunikim të vazhdueshëm, janë në gatishmëri të plotë”, tha ai.
Kozeli theksoi se probleme janë evidentuar në Kukës dhe Valbonë, ku skarpatat e paqëndrueshme shkaktojnë rënie inertesh të vazhdueshme, si dhe në Gjirokastër e Tepelenë, ku prezenca e ujit në shtratin e rrugës ka krijuar vështirësi në qarkullim. Situata të ngjashme janë shfaqur edhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë, ku reshjet kanë sjellë baltë.
“Probleme po hasen në Kukës, Valbonë, sepse në këto zona ka skarpata shumë të paqëndrueshëm dhe kemi rënie inertesh të vazhdueshme. Vështirësi po hasim edhe në Gjirokastër dhe Tepelenë ku për shkak të reshjeve kemi prezencë uji në shtratin e rrugës. Kemi patur situata edhe në Qukës Qafë Plloçë, ku ka patur baltë, por është një fenomen i pashmangshëm sepse ndodhemi në kushte ekstreme moti. Strukturat janë në gatishmëri të plotë”, tha drejtori i ARRSH, Ami Kozeli gjatë një inspektimi në Qafë Thore”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




