“Besimi që i dha kuptim jetës” – Kryepiskopi Joan rrëfen rrugëtimin shpirtëror dhe misionin e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë

Aktualitet | 10 muaj më parë

“Nderi i Kombit”, Ferdinant Samarxhi, zhvilloi një bisedë me Kryepiskopin e ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë Joan, ku u ndal në rrugëtimin e tij shpirtëror, rolin e besimit në një shoqëri që e kishte të ndaluar fenë dhe misionin e shërbimit ndaj njeriut.

Kryepiskopi Joan tregoi se u rrit në një periudhë kur besimi ishte i ndaluar, por kjo nuk mundi të kontrollonte zemrat e njerëzve.

“U rritëm në një periudhë ku besimi ishte i ndaluar, i ndaluar nga jashtë dhe smund të kontrollonte zemrat e njerëzve. Në rrugëtimin tim të jetës, isha në vitin e 4 të gjimnazit, sa kisha mësuar frëngjisht dhe më bie në dorë një libër që ishte Dhjata e Re dhe kur lexova librin ndjeva diçka ndryshe. Mënyra si ishte e shkruar më bindi mua që ishte e vërtet. Besimi nuk mund të shpjegohet vetëm me arsye por nuk është jashtë arsyes, por është diçka që e kapërcen shpersh herë atë gjë. Solli një gëzim shumë të madh tek unë kur e lexova. Më pas fillova rrugëtimin duke u përpjekur që të gjeja më shumë informacione për të kuptuar më shumë”, u shpreh Joani.

Sipas Kryepiskopit Joan, rrugët drejt Perëndisë janë të ndryshme për secilin njeri, por Ungjilli i dha kuptim jetës së tij dhe e udhëhoqi drejt misionit për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë qëllimin e vërtetë të jetës.

“Rrugët për tek perëndia janë të ndryshme dhe çdo njeri është i ndryshëm por Ungjilli filloi ti jepte kuptim jetës time. Dëshira dhe predikimi im ka qenë gjithmonë që njerëzit ta gjejnë qëllimin e tyre të vërtet në jetë. Unë besoj se vetëm diçka shumë e madhe mund ta përmbushi njeriun”, tha ai.

Duke folur për shërbimin, Kryepiskopi Joan vuri në dukje rëndësinë e kujdesit ndaj njerëzve më të pambrojtur, veçanërisht atyre që vuajnë nga sëmundjet mendore. Ai ndau përvojën e tij në psikiatri, ku, sipas tij, ndjehet dhimbja e thellë njerëzore dhe nevoja jo vetëm për ndihmë fizike, por edhe për mbështetje shpirtërore.

“Shërbimi është gjithmonë një pjesë shumë e rëndësishme. Çdo sëmundje është e vështire por ato mendore janë edhe më të vështira sepse njerëzit janë të pambrojtur dhe duhet që të tjerët të kujdesen. Në Psikiatri mund të ndjesh dhimbjen e madhe njerëzore. Ata  njerëz kishin nevoje jo vetëm për një shërbim nga jashtë por dhe një ndihmesë shpirtërore. Atje është një përvojë e thellë, është dhe shumë e dhimbshme. Fillon të kuptosh dashurinë e madhe të Perëndisë që u mishërua  për të prekur dhimbjen tonë dhe për ta shëruar”, theksoi Forlumnia e tij Joan.  

/rtsh.al/                                


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme