Samiti në Romë, Meloni dhe Merz “blindojnë” boshtin Itali-Gjermani, pakt i ri për mbrojtjen dhe qasje e përbashkët ndaj Trump

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe Kancelari gjerman, Friedrich Merz, vulosën sot në Romë një kapitull të ri të bashkëpunimit strategjik mes dy fuqive evropiane. Në një samit ndërqeveritar të zhvilluar pasditen e sotme, dy liderët nënshkruan një plan veprimi për sigurinë dhe mbrojtjen, duke theksuar domosdoshmërinë e një Evrope që merr fatin në duart e veta përballë sfidave globale.
Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i shtyllës evropiane të NATO-s, rritja e konkurrueshmërisë ekonomike dhe një qasje e koordinuar, pragmatike, në marrëdhëniet me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Meloni e cilësoi marrëdhënien mes dy vendeve si më të ngushtë se kurrë më parë.
“Jemi në një pikë kthese historike që e detyron Evropën të zgjedhë nëse do të jetë protagoniste e fatit të vet apo do ta vuajë atë. Kjo kërkon qartësi, përgjegjësi dhe guxim,” deklaroi kryeministrja italiane.
Ajo njoftoi se më 12 shkurt, Roma dhe Berlini do të prezantojnë në Bruksel një dokument të përbashkët për thjeshtimin e burokracisë dhe rigjallërimin e industrisë, veçanërisht asaj të automobilave.
Faktori “Trump” dhe propozimi për Nobel
Të pyetur nëse forcimi i boshtit Romë-Berlin është një masë mbrojtëse ndaj politikave të Donald Trump, të dy liderët mohuan një qasje konfrontuese. Meloni theksoi se Italia dhe Gjermania kanë marrëdhënie të privilegjuara me SHBA-në dhe do të ndjekin një “qasje pragmatike”.
Madje, kryeministrja italiane shkoi më tej duke folur për rolin e Trump në Ukrainë:
“Shpresoj që mund t’i japim Çmimin Nobel për Paqen Trumpit dhe besoj se ai mund të bëjë gjithashtu një ndryshim në arritjen e një paqeje të drejtë në Ukrainë,” tha Meloni, një deklaratë që gjeti mbështetjen e Kancelarit Merz.
Mbrojtja dhe siguria
Një nga arritjet konkrete të samitit ishte njoftimi se Italia do t’i bashkohet marrëveshjes shumëpalëshe mbi eksportet e armëve (ku bëjnë pjesë Gjermania, Franca, Spanja dhe Britania). Merz theksoi se kërcënimet ndaj sigurisë vijnë nga jashtë NATO-s dhe se Evropa duhet të jetë sovrane dhe e fortë në mbrojtjen e saj.
“Evropa duhet dhe do të bëjë më shumë për sigurinë e Arktikut dhe duam ta mbrojmë NATO-n,” u shpreh Kancelari gjerman.
Ekonomia
Lidhur me marrëveshjen tregtare me Mercosur, liderët ranë dakord se ajo tashmë është e balancuar, veçanërisht pas garancive të marra për sektorin e bujqësisë. Megjithatë, Meloni paralajmëroi se procedurat në Parlamentin Evropian mund ta vonojnë hyrjen në fuqi deri në dy vjet, duke lënë të hapur mundësinë e zbatimit të përkohshëm nga Komisioni.
Takimet ministrore
Samiti u shoqërua edhe me takime të nivelit të lartë ministror. Zv.kryeministri Antonio Tajani dhe Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto takuan homologët e tyre gjermanë për të diskutuar krizat në Lindjen e Mesme dhe Ballkan.
Ndërkohë, Ministri i Transportit Matteo Salvini dhe homologu i tij Schnieder u dakordësuan për një front të përbashkët në mbrojtje të industrisë së automobilave dhe zhvillimit të infrastrukturës hekurudhore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




