Rubio: NATO ka nevojë për rikonceptim me Evropën më të aftë, jo për ndryshim qëllimi – SHBA në bisedime për Groenlandën

Botë | 9 muaj më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) ka nevojë për një rikonceptim, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndryshimin e misionit të saj, por për përshtatjen e kapaciteteve dhe mjeteve ndaj sfidave të reja të sigurisë.

Duke folur para Senatit Amerikan, Rubio tha se NATO duhet të “riimagjinohet” me partnerët evropianë që rrisin ndjeshëm investimet në mbrojtje, në mënyrë që të luajnë një rol më domethënës dhe jo të mbeten të varur nga mbështetja e SHBA-së.

Ai solli si shembull garancitë e sigurisë për Ukrainën, ku trupat evropiane – kryesisht franceze dhe britanike – janë të pranishme, por mbrojtja reale mbetet ajo amerikane.

Rubio nënvizoi se për dekada vendet evropiane nuk kanë investuar mjaftueshëm në aftësitë e tyre mbrojtëse, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e SHBA-së si “backstop” i sigurisë.

 “NATO do të jetë më e fortë nëse aleatët tanë janë më të aftë. Sa më të fortë të jenë partnerët tanë, aq më shumë fleksibilitet do të kenë Shtetet e Bashkuara për të siguruar interesat tona në pjesë të ndryshme të botës,” tha Rubio, duke shtuar se kjo nuk është braktisje e Aleancës, por një përshtatje ndaj realitetit të shekullit XXI.

Në një deklaratë tjetër, Rubio foli për interesin e administratës amerikane në Groenlandë, duke e cilësuar atë si një çështje të hershme të sigurisë kombëtare për SHBA-në.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara ndodhen “në një pikë të mirë” dhe se procesi i bisedimeve me Danimarkën dhe partnerët lokalë po zhvillohet në mënyrë profesionale, me synimin për një rezultat pozitiv.

Rubio konfirmoi se janë zhvilluar takime të nivelit të lartë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe se aktualisht po mbahen takime teknike me palët e përfshira. “Ne do ta fillojmë këtë proces në një mënyrë shumë profesionale dhe të drejtpërdrejtë. Do të shmangim cirkun mediatik, sepse kjo krijon më shumë fleksibilitet nga të dyja palët për të arritur një rezultat pozitiv. Dhe mendoj se do t’ia dalim mbanë,” u shpreh Rubio.

Ai shtoi se administrata amerikane është e bindur se bisedimet do të çojnë në një zgjidhje të mirë për të gjithë, duke forcuar pozicionin e SHBA-së në rajonin e Arktikut dhe duke konsoliduar bashkëpunimin me Danimarkën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme