Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia nuk fal as në Ballsh, hedh një hap drejt gjysmëfinaleve

Vllaznia ka vazhduar serinë e fitoreve edhe në Kupën e Shqipërisë. Kuqeblutë e mbyllën me fitoren 0-1 ndeshjen e parë çerekfinale me Bylisin, të transmetuar direkt në RTSH.
Skuadra e Martinit hedh një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të kompeticionit, në sfidën e kthimit i mjafton të administrojë mië fitoren e sotme. Për ballshiotët, të cilët luftojnë për mbijetesë në Superiore, ndeshja e kthimit bëhet më tepër formale, edhe pse në futboll ndodh gjithçka.

Goli i vetëm i ndeshjes së luajtur në stadiumin “Adush Muça” u shënua nga Kastrati me 11-metërsh, në minutën e 28-të. Trajneri Mirel Josa bëri lëvizjet e tij që në fillim të pjesës së dytë, por rezultati nuk ndryshoi dhe kështu shkodranët shkojnë të qetë në ndeshjen e kthimit.
Trajneri Edi Matini preferoi të lërë pushim disa nga titullarët kryesorë të skuadrës, si kapiteni Balaj, Kallaku, apo dhe Gurishta. Kuptohet që ai ka menduar edhe për sfidën e kampionatit kundër Elbasanit, që do të zhvillohet në fundjavë në stadiumin “Loro Boriçi”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




