Milano Cortina në RTSH/ Medalja e trishtë e Lagreid: Tradhtova të fejuarën, gabimi i jetës sime!

Sportisti norvegjez pas vendit të 3-të në 20 km biathlon: Ishte gabimi më i madh i jetës, ndihesh keq kur i shkakton dhimbje dikujt që e do kaq shumë.
Sapo kishte fituar medaljen e tij të parë olimpike. Një rezultat i jashtëzakonshëm për të, që e bëri të lotojë. Vetëm se lotët e Sturla Holm Lagreid në fund të intervistës për “NRK” nuk kishin të bënin me emocionet e medaljes në Olimpiadë, por me një dobësi njerëzore.

Lagreid në atë moment rrëfeu tradhtinë ndaj të fejuarës. “Gjashtë muaj më parë takova dashurinë e jetës sime, – ka thënë 28-vjeçari norvegjez mes lotësh. – Takova personin më të bukur dhe më të jashtëzakonshëm në botë. Tre muaj më parë bëra gabimin e jetës, nuk u tregova besnik”.
Sportisti u duk vërtet shumë i prekur pas zbulimit të tradhtisë pak para Olimpiadës, kur ajo e la menjëherë. Lagreid u shpreh se afrimi i garës koincidoi me javën më të vështirë të karrierës. Ai shtoi se ndihej sikur kishte hedhur tej “medaljen e artë të jetës”.
“Do të doja ta ndaja këtë medalje me të. Do të doja të isha një shembull i mirë, ndihesh shumë keq kur i shkakton dhimbje dikujt që e do kaq shumë. Por kjo është jeta”, – tha norvegjezi.
Shokët e skuadrës e dinin këtë histori dhe Lagreid vendosi ta tregonte publikisht, nëse do të fitonte medalje. Ai e mbajti fjalën, duke tentuar të fitojë sërish dashurinë. Lagreid i kërkoi ndjesë edhe bashkëkombësit, kampionit olimpik Johan-Olav Botn: “Nuk dua të të marr skenën, shpresoj të jetë një problem vetëm për ditët e ardhshme. Medalja jote e artë olimpike është përgjithmonë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




