Rritja e peshkut në Picar të Gjirokastrës – Traditë shumëvjeçare e dy familjeve që sjell punësim dhe zhvillim rural
Në fshatin Picar të Bashkisë Gjirokastër, dy familje Muro dhe Koko prej 25 vitesh merren me rritjen dhe përkujdesjen e peshkut në vaskat që kanë hapur në këtë zonë. Ky aktivitet ka qenë burim i rëndësishëm jetese për ta dhe një shembull i vazhdimësisë së traditës familjare ndër vite.
Sipas njërit prej administratorëve, Siri Muro sezoni i dimrit kërkon kujdes të veçantë për peshkun. Temperaturat e ulëta ndikojnë drejtpërdrejt në ushqyerje dhe zhvillim, ndaj është e nevojshme kontrolli i vazhdueshëm i ujit dhe sasisë së ushqimit.
Ai thekson se përvoja shumëvjeçare i ka ndihmuar të përshtaten me kushtet klimatike dhe të ruajnë cilësinë e peshkut.
“Është e nevojshme ti qëndrosh në kokë, të kujdesesh të mos i hyjnë turbullira të mëdha sepse është shfarosje për peshkun”, u shpreh Muro.
Muro pohon se kërkesa për peshk vendas mbetet e qëndrueshme, falë cilësisë dhe freskisë së produktit, edhe pse sfidat ekonomike janë gjithmonë të pranishme.
“Gjirokastra nuk është për të ngrënë peshkun, më shumë mishin”, tha ai.
Megjithatë Muro shprehet se të rinjtë duhet të tregojnë më shumë interes për bujqësinë dhe blegtorinë, përfshirë edhe rritjen e peshkut. Sipas tij, këto profesione ofrojnë mundësi reale punësimi dhe zhvillimi në zonat rurale, duke ndihmuar edhe në mbajtjen gjallë të fshatrave.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




