Spiropali takim me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës: Forcim i bashkëpunimit parlamentar në shërbim të objektivave strategjike

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë zhvilloi një takim me Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit parlamentar në shërbim të objektivave të përbashkëta strategjike.
Spiropali theksoi se mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht një kalendar institucional, por një shprehje e vullnetit të përbashkët për të vepruar së bashku.
“Mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht kalendar institucional. Ato janë shprehja më e lartë e vullnetit tonë për të vepruar së bashku – me ligj, me përgjegjësi dhe me vizion,” – u shpreh Spiropali.
Gjatë takimit, palët folën për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, si dhe për detyrimet që burojnë nga historia e përbashkët e dy vendeve. Një pikë e rëndësishme e diskutimit ishte miratimi nga të dy Kuvendet i Rezolutave në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Spiropali nënvizoi se, “Drejtësia duhet të jetë e drejtë. Lufta për liri e popullit të Kosovës nuk mund të relativizohet. Dinjiteti i atyre që e përfaqësuan atë luftë është pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ky është një detyrim që e mbajmë bashkë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




