Kryeministri i Katarit: Sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit, një gabim i rrezikshëm, të ulen tensionet

Botë | 8 muaj më parë

Kryeministri i Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman al Thani, ka dënuar sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit si një “gabim të rrezikshëm”, duke paralajmëruar se përshkallëzimi mund të destabilizojë rajonin dhe të shkaktojë tronditje në ekonominë globale.

Në intervistën e tij të parë për mediat që nga fillimi i sulmeve të përsëritura me raketa dhe dronë ndaj Katarit, kryeministri i tha Sky News se vendi po kalonte “një periudhë shumë të vështirë”, por vlerësoi profesionalizmin e forcave të tij të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Është një ndjenjë e madhe tradhtie,” tha ai. “Vetëm një orë pas fillimit të luftës, Katari dhe vendet e tjera të Gjirit janë sulmuar. Ne e bëmë të qartë se nuk do të merrnim pjesë në asnjë luftë kundër fqinjëve tanë.”

Katari ka mbajtur prej kohësh kanale diplomatike të hapura me Teheranin, edhe gjatë momenteve më të tensionuara, por tani marrëdhënia duket e tendosur. “Ne gjithmonë kemi përpjekur të ruajmë një marrëdhënie të mirë me Iranin, por justifikimet dhe pretekstet që ata po përdorin hidhen poshtë plotësisht,” shtoi kryeministri.

Megjithatë, ai theksoi se përshkallëzimi ushtarak do të përkeqësonte krizën dhe se përgjegjësia për t’u tërhequr është e të gjitha palëve. “Ne vazhdojmë të kërkojmë qetësim të situatës. Ata janë fqinjët tanë – është fati ynë,” deklaroi ai.

Mesazhi i kryeministrit nuk i drejtohej vetëm Iranit. Ai i bëri thirrje edhe SHBA-së të ulte tensionet, duke paralajmëruar për rrezikun që i gjithë rajoni të zhytet në konflikt. Diplomacia mbetet, sipas tij, rruga e vetme për të dalë nga kriza.

Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet se sulmet kishin qëllime ushtarake, duke theksuar se 25% e tyre kishin në shënjestër objektet civile, përfshirë aeroportet ndërkombëtare, shërbimet e ujit dhe infrastrukturën e gazit.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu për pasojat globale: “Katari furnizon afërsisht 20% të gazit në botë dhe është një nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave – çdo ndërprerje e vazhdueshme do të ndikonte në tregjet globale, furnizimet me ushqim dhe njerëzit në të gjithë botën.”

Ai përfundoi duke vënë në dukje se, edhe pse vendet e Gjirit insistojnë se nuk janë pjesë e luftës, ato tashmë janë në vijën e frontit të saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme