Ndryshimet në ligjin për pensionet – Në Shkodër ulet numri i përfituesve të pensioneve sociale

Sociale | 8 muaj më parë

Ndryshimet në ligjin e sigurimeve shoqërore te një viti më parë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të përfituesve të pensionit të pleqërisë në qarkun e Shkodrës.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, brenda një viti mbi 2 mijë qytetarë të tjerë janë bërë pjesë e skemës së pensionit të pleqërisë.

“Kemi një rritje të konsiderueshme të numrit të pensioneve për vitin 2025 dhe janë rreth 2200 pensione më shumë të lidhura se vitet e tjera. Për shkak të trajtimit nga ligji i ri sepse të gjithë ato persona që kishin marrë një përgjigje negative dhe ishin refuzuar nga sigurimet shoqërore në Shkodër për shkak të mungesës së vjetërsisë së punës”, u shpreh Violeta Staka, Drejtore e ISSH Shkodër.

Po Sipas drejtores së ISSH Shkodër, një nga efektet kryesore të këtyre ndryshimeve është edhe ulja e numrit të pensioneve sociale, pasi një pjesë e qytetarëve që më parë përfitonin këtë mbështetje tashmë janë kualifikuar për pension pleqërie falë njohjes së viteve të punës.

“Në vitin 2023 ishin rreth 157 persona që kanë përfituar pension social ndërsa tani kanë kaluar nga pensione sociale në pensione pleqërie”, tha ajo.

Në vite, numri i përfituesve të pensioneve në qarkun e Shkodrës ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2016 numri i përgjithshëm i pensioneve ishte rreth 47 mijë, ndërsa aktualisht ai ka arritur në rreth 55 mijë përfitues. Në këtë shifër përfshihen pensionet e pleqërisë,  invaliditetit si dhe pensionet familjare.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme