Kosovë, ambasadori britanik Hargreaves kërkon rikthim të menjëhershëm te stabiliteti politik

Mbretëria e Bashkuar ka përcjellë një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për klasën politike në Kosovë, duke kërkuar një dalje të shpejtë nga situata e paqëndrueshmërisë aktuale. Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar nevojën jetike për t’i dhënë fund ngërçit, në mënyrë që vendi të mos humbasë ritmin në proceset ndërkombëtare dhe reformat e brendshme.
Ky qëndrim u bë i ditur pas një takimi zyrtar që diplomati i lartë zhvilloi me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një reagimi publik, Ambasadori Hargreaves e ka cilësuar rikthimin e normalitetit institucional jo thjesht si një kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë, por si një domosdoshmëri absolute për të ardhmen e afërt të Kosovës. Sipas tij, zvarritja e kësaj klime politike rrezikon të bllokojë nismat e rëndësishme për vendin. Në thelb të mesazhit të tij, ambasadori nënvizon:
“Sot bisedova me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për nevojën urgjente që Kosova t’i kthehet stabilitetit politik, në mënyrë që të mundësohet përparimi në agjendat vendore dhe ndërkombëtare.”
Thirrje për kulturë debati dhe kompromis
Përtej konstatimit të problemit, përfaqësuesi i Londrës zyrtare kërkoi nga të gjithë aktorët politikë që të ulin tensionet dhe të rikthejnë arsyen në debatin publik. Zgjidhja e krizave, sipas tij, nuk vjen përmes polarizimit, por përmes një angazhimi të sinqertë e të pjekur politik.
“Në këtë kohë të pasigurisë së shtuar politike, diskutimi politik i respektueshëm dhe konstruktiv është jetik për të gjetur një rrugë përpara,” theksoi Hargreaves.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




