Tragjedia në Zvicër, dëshmia e shqiptarit që mbeti i plagosur: Një burrë u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes, ishte e tmerrshme

Një ngjarje e rëndë ndodhi në qendër të qytezës Kerzers të Zvicrës, ku një person i vuri flakën vetes, brenda një autobusi shërbimi postar. Si pasojë, 6 persona humbën jetën dhe 5 të tjerë mbetën të lënduar, disa prej tyre me plagë të rënda.
Mes të lënduarve është edhe shqiptari Faton Morina, i cili ndodhej në autobus dhe ishte dëshmitar i ngjarjes tragjike. Morina tregoi se një burrë, i ulur përpara tij, mori një çakmak, lyu veten me benzinë dhe i vuri flakën. Ngjarjen ai ia tregoi menjëherë kushëririt të tij, Arbi Berisha me mesazh ku shkruane: “O vëlla, një burrë i vuri flakën vetes brenda. Ai derdhi benzinë dhe ia vuri flakën vetes.”

Kushëriri i tij tha për mediat zvicerane se “pashë tymin që nga shtëpia ime”, dhe kur arriti në vendin e ngjarjes, kushëriri i tij Fatoni doli nga një restorant.
“Ai sapo kishte dalë nga tualeti. Duhet t’i ketë futur duart nën ujë të ftohtë atje. Fatoni pësoi lëndime në disa vende kryesisht në duar, hundë dhe këmbë. Ai u përpoq të zbriste nga autobusi, por dyert ishin të mbyllura. Ai është aktualisht shumë i traumatizuar”, tha Arbi.
Fatoni është në kujdes intensiv në Spitalin Inselspital në Bernë, por pritet të transferohet në Lozanë të mërkurën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




