“Serrë inteligjente”, projekti i gjimnazit “Themistokli Gërmenji” kalon në fazën tjetër të Festivalit të Shkencës
Projekti “Serrë inteligjente si laborator fizike”, i realizuar nga nxënësit e gjimnazit “Themistokli Gërmenji” në Korçë, është shpallur fitues në fazën e dytë të Festivalit të Shkencës, duke siguruar kalimin në fazën tjetër. Projekti u vlerësua për metodologjinë eksperimentale dhe qasjen inovative në zbatimin praktik të njohurive.
“Grupi ka punuar shumë mirë, nxënësit kanë qenë shumë të përgatitur. Natyrisht nga pjesa teorike e fizikës, orientimin, matjet, studimin e kemi bërë sëbashku, por kanë qenë shumë të përkushtuar dhe kanë bërë një punë cilësore”, tha Rozeta Meçaj, mësuese e Fizikës.
Nxënësit u shprehën të motivuar për të vijuar më tej dhe për të përfaqësuar sa më mirë shkollën në fazat e ardhshme.
“Qëllimi i projektit është të ndërthurë teorinë me praktikën, duke krijuar një mjedis real ku do të studiohen dukuritë fizike. Gjithashtu mund të shërbejë në jetën e përditshme për fermerët sepse ndihmon ën kontrollin automatik të temperaturës dhe lagështisë”, tha një nxënëse.
“Unë jam marrë me dizajnin e serrës. Kam patur në fokus organizimin harmonik të elementëve për të krijuar një pamje sa më moderne. Fitorja ishte një arritje shumë e rëndësishme për ne dhe shpresoj që këtë sukses ta kemi edhe në fazën e tretë”, u shpreh një tjetër.
Gjimnazi “Themistokli Gërmenji” u përfaqësua me 3 projekte, ndërsa tashmë pritet të zhvillohet faza tjetër e Festivalit të Shkencës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




