Dita Botërore e Kafshëve Endacake, veprimtari ndërgjegjësuese në Shkodër
Më shumë vëmendje dhe përkujdesje ndaj kafshëve të braktisura, ky ishte mesazhi që u përcoll në Ditën Botërore të Kafshëve Endacake, gjatë një aktiviteti sensibilizues të organizuar në qendër të qytetit të Shkodrës.
Drejtues dhe punonjës të shërbimit veterinar pranë Bashkisë, dhe vullnetarë të organizatës “Animals Need Me”, theksuan se ndërgjegjësimi qytetar është në rritje.
Sipas tyre, vitet e fundit është vënë re një ulje graduale e numrit të qenve endacakë në rrugët e qytetit, si rezultat i ndërhyrjeve për sterilizim, vaksinim dhe identifikim.
“Kanë filluar më shumë të adoptojnë, të përkujdesen por kemi ende shumë punë për të bërë”, u shpreh Elda Ahmetaj, Aktiviste në shoqatën “Animals Need Me”.
Paralelisht me këtë tendencë në rritje të kujdesit, është shtuar numri i kafshëve të strehuara në qendrat e grumbullimit të Bashkisë dhe në strehat e administruara nga organizatat vullnetare. Kjo situatë kërkon më shumë mbështetje nga komuniteti, si në drejtim të adoptimit, ashtu edhe në përkujdesjen e përditshme.
“Numri i qenve në strehën e bashkisë ka arritur 230, trajtimet janë në mënyrën më specifike, ushqimi nuk mungon, sterilizimet janë falas”, tha Albana Bilali, Vullnetare, Bashkia Shkodër.
Apeli në këtë ditë të veçantë ishte i qartë: më shumë adoptime, më shumë ndjeshmëri dhe më shumë përgjegjësi ndaj kafshëve të braktisura, të cilat kanë nevojë për mbrojtje dhe dashuri
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




