Trump ultimatum Iranit, keni 48 orë kohë – Teherani paralajmëron me katastrofë bërthamore në Gji pas sulmeve në Bushehr
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë arritur pikun, teksa presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të koduar me tone mjaft të ashpra. Përmes një postimi në rrjetin e tij social, kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka lënë Iranit vetëm 48 orë kohë për të arritur një marrëveshje ose për të hapur menjëherë Ngushticën e Hormuzit.
“A ju kujtohet kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të arritur një marrëveshje ose për të hapur Ngushticën e Hormuzit? Koha po mbaron, 48 orë para se të bjerë ‘ferri’ mbi ta”, u shpreh Trump në platformën e tij sociale Truth Social.
Kujtojmë se më 27 mars, presidenti amerikan kishte njoftuar pezullimin e sulmeve ndaj impianteve energjetike iraniane për një periudhë 10-ditore. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka lënë të hapur mundësinë për bisedime paqeje me SHBA-në, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por pa treguar shenja tërheqjeje nga qëndrimet e Teheranit.
Ai deklaroi se Irani nuk ka refuzuar kurrë pjesëmarrjen në bisedime dhe vlerësoi përpjekjet e Pakistanit për të ndërmjetësuar një zgjidhje. “Ne nuk kemi refuzuar të shkojmë në Islamabad, por kërkojmë kushte të qëndrueshme për t’i dhënë fund luftës së paligjshme”, është shprehur Araghchi. Megjithatë, situata mbetet e paqartë, pasi raportime të tjera flasin për hezitim nga ana e Iranit dhe akuza ndaj SHBA-së se po përdor negociatat si mbulim për sulme të reja.
Në një deklaratë të fortë, krye diplomati iranian paralajmëroi për pasoja të rënda, nëse SHBA do vijojë sulmet ndaj centralit bërthamor të Bushehrit. “E mbani mend reagimin e ashpër të Perëndimit për armiqësitë pranë Centralit Bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë… Izraeli dhe SHBA-ja kanë bombarduar tashmë katër herë centralin tonë në Bushehr. Pasojat radioaktive do t’i japin fund jetës në kryeqytetet e gjirit, jo në Teheran”, u shpreh Araghchi në rrjetin social amerikan X.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




