Pakistani kërkon zgjatje dy-javore të ultimatumit të Trump ndaj Iranit

Botë | 7 muaj më parë

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i ka bërë thirrje presidentit amerikan që të zgjasë afatin për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin me dy javë.

“Përpjekjet diplomatike për një zgjidhje paqësore të luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të fuqishme, me potencialin për të çuar në rezultate të konsiderueshme në të ardhmen e afërt”, shkroi Sharif në një postim në rrjetin X (ish-Twitter).

“Për t’i lejuar diplomacisë të ecë përpara, i kërkoj fuqimisht Presidentit Trump që ta zgjasë afatin me dy javë”, shtoi ai.

Sharif i bëri thirrje gjithashtu Teheranit që të hapë Ngushticën e Hormuzit për dy javë, si një “gjest vullneti të mirë”.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të respektojnë një armëpushim kudo për dy javë, për t’i lejuar diplomacisë të arrijë një zgjidhje përfundimtare të luftës, në dobi të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”, përfundoi ai.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë Iranit afat deri në orën 20:00 të së martës me kohën e Lindjes (00:00 GMT të mërkurës) për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të arritur një marrëveshje, ose do të përballet me sulme ndaj infrastrukturës së tij energjetike.

Trump ka paralajmëruar se nëse afati kalon, SHBA mund të godasë centralet elektrike, urat dhe infrastrukturë tjetër kritike në Iran.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme