Regjistrimi elektronik zëvendëson vulat e pasaportave, hyn sot në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrje-Dalje
Duke filluar nga sot (10 prill) në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.
Lajmin e bëri dje të ditur, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ku thekson se ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.
Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon:
Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:
– të dhënat e pasaportës;
– fotografia e fytyrës;
– gjurmët e gishtërinjve.
Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.
Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.
Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.
Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.
Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për EES: https://travel-europe.europa.eu/ees
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




