Rama i dorëzon pasaportën shqiptare ish-kryebashkiakut të Nju-Jorkut, Eric Adams

Aktualitet | 7 muaj më parë

Në ditën e dytë të Samitit të IV të Diasporës Shqiptare, kryeministri Edi Rama i dorëzoi ish-kryebashkiakut të Nju-Jorkut, Eric Adams, kartën e identitetit dhe pasaportën shqiptare.

Ceremonia u zhvillua gjatë mbrëmjes gala, ku Rama theksoi se askush nuk e kishte menduar se një ditë ish-kryebashkiaku i metropolit amerikan do të bëhej qytetar i Tiranës dhe shtetas i Shqipërisë.

Gjatë mbrëmjes gala të organizuar në kuadër të Samitit të IV të Diasporës Shqiptare Rama tha se “duke qenë se ne shqiptarët jemi të vetmit që themi unë e kam ditur këtë punë, ta çoj dorën kush ka kurajo të thotë që i ka shkuar mendja që ish- kryetari i bashkisë së Nju-Jorkut do të bëhej qytetar i Tiranës dhe shtetas i Shqipërisë. Kjo ditë erdhi asnjë nuk e dinte që do të vinte”.

“E di që je familjar me këtë gjë, por ajo çfarë ti nuk di apo nuk je i familjarizuar që kjo në Nju-Jorkut është bosh (qeleshja), kurse këtu është plot dhe sa më shumë ka aq më shumë merr.  Kjo është karta jote e identitetit dhe pasaporta shqiptare. Së shpejti do të të mësojmë edhe shqip”, tha Rama.

Rama i dorëzoi dokumentet duke e shoqëruar me humor dhe simbolikë, duke i kujtuar Adams se tashmë do të mësojë edhe gjuhën shqipe.

Nga ana e tij, Adams u shpreh se ndjehet i lidhur me shpirtin e diasporës shqiptare që e ka takuar shpesh në rrugët e Nju-Jorkut dhe se tashmë është krenar të jetë jo vetëm amerikan, por edhe shqiptar.

“Kur ecja në rrugët e qytetit në funksionet e mia publike, shikoja shpirtin e diasporës shqiptare. Një pjesë e juaj mund të jenë larguar nga Shqipëria, por ju kurrë nuk e larguat vendin tuaj nga zemrat tuaja. Unë e adhuroj të jem amerikan, por sot falë kryeministrit tuaj jam edhe shqiptar.”

Shtetësia shqiptare për Adams është formalizuar me dekretin e Presidentit Bajram Begaj, pas kërkesës së vetë ish-kryebashkiakut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme