Adriatik Lapaj: Politika i ka futur shqiptarët në vathë
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se shqiptarët duhet të dalin përtej kufijve ideologjikë.
Duke iu referuar fitores në Hungari të Peter Magyar, Lapaj tha se shqiptarët janë vendosur në disa vatha dhe ata udhën të dalin prej tyre.
“Në Parlamentin e Hungarisë do të shkojnë vetëm deputetë të djathtë që do të thotë që dy partitë kryesore që morën mandate, janë të djathta. I bie që popullsia duhet ta ketë vullnetin që të dalë përtej kufijve ideologjikë, i majtë, i djathtë, komunist, ballist.
Shqiptarëve u kanë vendosur disa vatha, njëra është ideologjike; i thonë që ti je i djathtë nuk mund të lëvizësh nga e djathta, ti je i majtë, nuk mund të lëvizësh. E ke pasur gjyshin partizan, te e majta.
Jo po, po vjedh ky drejtori! Po le të vjedhë ai se është i majtë. Jo po vjedh ai drejtori tjetër. Nuk ka problem se na vjen Saliu, na vjen Adriatiku që është shërbëtor i Saliut”, u shpreh Lapaj.
Ai vuri në dukje se “një nga vathat psikologjikë që iu është vendosur është kufiri ideologjik”.
Sipas Lapajt, kufiri tjetër është ai ekonomik.
“Tani unë po të them se shumica dërrmuese e atyre që e kanë votuar Peter Mayagarin janë të majtë. Ndërkohë votuan një parti të djathtë. Përveç kufirit ideologjik që u është vendosur shqiptarëve iu është vendosur kufiri ekonomik.
Kufiri ekonomik është që në vitin 1991 miratuan një ligj këta që ia morën tokën pronarëve dhe e ndanë rripa-rripa për t’ua dhënë popullatës. I kënaqën. Momenti i dytë është për legalizimet; nuk ka problem që nuk është toka jote, ta legalizojmë ne.
Bënë një ligj në vitin 2006, ligji duhet të kishte efekt deri në vitin 2012. Duhet të kishte përfunduar. Çfarë bënë këta ustallarët; në çdo palë zgjedhje u thonë që ndërtoni pa leje ju se kur të vijnë zgjedhjet e tjera do ta shtyjmë ligjin dhe do tua legalizojmë. Ua tundin legalizimet për zgjedhjet”, tha më tej Lapaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




