Kupa e Shqipërisë në RTSH/ Gjysmëfinalet premtojnë spektakël

Ndeshjet e kthimit të fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen këtë mesjavë, duke premtuar emocione dhe rivalitet të lartë, pasi gjithçka është ende e hapur pas barazimeve në takimet e para.
Të mërkurën, vëmendja do të jetë te përballja mes Elbasanit dhe Egnatias, që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00. Sfida e parë mes dy skuadrave përfundoi në barazim 1-1, duke e bërë këtë duel vendimtar për sigurimin e një bilete në finale.
Të enjten, është radha e supersfidës mes Vllaznisë dhe Dinamo City-t, që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, gjithashtu në ora 19:00. Edhe kjo përballje vjen pas një barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, çka garanton një përballje të hapur dhe plot tension deri në minutën e fundit.
Të dyja ndeshjet do të transmetohen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion do të luhet më 13 maj, në ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”, ku do të kurorëzohet skuadra fituese e këtij kompeticioni. Të gjithë të interesuarit mund të blejnë biletat online në platformën ebileta.al .
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




