Iran-Rusi, aleancë kundër presionit të SHBA – Teherani zyrtar kërkon ndërmjetësimin në Kremlin, Uashingtoni refuzon negociatat

Teherani dhe Moska kanë zyrtarizuar sot një partneritet strategjik të nivelit më të lartë gjatë vizitës së ministrit të jashtëm iranian në Rusi. Abbas Araghchi u prit në Kremlin nga presidenti Vladimir Putin, ku palët u zotuan për një bashkëpunim që pritet të forcohet akoma më tej.
Gjatë takimit, kreu i shtetit rus premtoi se do të bëjë gjithçka për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme. “Ne do të bëjmë çdo gjë që i shërben interesave tuaja dhe popujve të rajonit për të arritur këtë paqe sa më shpejt,” deklaroi Putin në prani të delegacionit të lartë. Ai vlerësoi guximin e popullit iranian për sovranitet, duke shprehur besimin se Irani do ta kalojë këtë periudhë të vështirë sprovash.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për të ofruar ndërmjetësim që të mos ketë më kthim tek armiqësitë. Por ky afrim mes Moskës dhe Teheranit është pritur me rezistencë nga Uashingtoni zyrtar.
Shtëpia e Bardhë bëri të qartë se nuk do të ketë negociata përmes mediave, duke i cilësuar diskutimet diplomatike si çështje tejet të ndjeshme. “SHBA nuk do të negociojë publikisht dhe presidenti Trump mbetet i vendosur që Irani të mos sigurojë kurrë armë bërthamore,” tha zëvendëssekretarja Olivia Ëales.
Ndërkohë, Teherani ka prerë çdo shpresë për lëshime, duke deklaruar se përpjekjet aktuale diplomatike nuk do të përfshijnë fare çështjen e pasurimit të uraniumit. Kjo përplasje e hapur mes fuqive po shton pasigurinë globale, teksa aleanca mes Rusisë dhe Iranit duket se po sfidon hapur presionin amerikan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




