Fshihej me dokumente false, arrestohet në Brazil Ervin Mata, trafikoi 240 kg drogë

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, autoritetet braziliane kanë arrestuar 39 vjeçarin, Ervin Mata, i dyshuar për përfshirje në trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Brasilias, si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
“Akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë, arrestohet në Brazil, 39-vjeçari. 39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.
Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia shpjegon më tej se si rezultat i shkëmbimit dhe koordinimit të informacioneve, në kohë reale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u kap në Brazil, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 39 vjeç.
Mata dyshohet se ka koordinuar veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal me shtrirje në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa shtete europiane, përfshirë Belgjikën, Francën, Holandën dhe Gjermaninë.
Ervin Mata ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” që në vitin 2023.
Hetimet, të nisura nga SPAK në vitin 2023 në bashkëpunim me EUROJUST dhe EUROPOL, kanë zbuluar se shtetasi në fjalë dyshohet të jetë i përfshirë në organizimin e trafikimit të 240 kilogramëve kokainë më 29 shtator 2020, si dhe në aktivitete të tjera kriminale të lidhura me grupe të strukturuara.
Autoritetet bëjnë me dije se gjatë kohës së fshehjes në Brazil, 39-vjeçari përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara britanike. Ai u lokalizua dhe u arrestua në qytetin Ilha Bela.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet braziliane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




