“Më shumë siguri, më pak aksidente! Jeta e punëtorit mbi fitimin” mesazhi i 1 Majit i protestës së qytetarëve në Tiranë

Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë organizoi sot, më 1 Maj, një tubim publik përballë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, me sloganin: “Më shumë siguri, më pak aksidente, jeta e punëtorit mbi fitimin”.
Manifestimi u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke kërkuar një të ardhme me dinjitet, drejtësi dhe barazi në punë. Organizatorët theksuan se vetëm gjatë vitit 2025, 48 punonjës humbën jetën në vendin e punës në Shqipëri, një shifër alarmante që kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe shoqëror.
Kërkesat kryesore të tubimit ishin kushte të sigurta dhe të drejta në pune, paga që përballojnë jetesën reale, kontrata të rregullta dhe mbrojtje sociale efektive.
Gjatë protestës, u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të jetëve të humbura në vendin e punës. Organizatorët denoncuan mungesën e kontrolleve efektive dhe papërgjegjshmërinë institucionale, duke theksuar se siguria në punë trajtohet shpesh si çështje dytësore.
“Jetët e humbura në punë dëshmojnë dështimin e zbatimit të ligjit, mungesën e kontrolleve efektive dhe papërgjegjshmërinë institucionale. Pasiguria në punë i prek të gjithë, por sigurimi në punë vijon të neglizhohet. Siguria në vendin tonë trajtohet si çështje dytësore”.
“Sot punonjësit dalin në tubime të maskuar, pasi nuk duhet ta marrë vesh pronari i tyre. Ka gra dhe vajza, burra dhe djem që firmosin kontrata pune pa i lexuar, sepse nuk u jepet mundësia t’i lexojnë”, thanë disa nga pjesëmarrësit në këtë protestë.
Në tubim morën pjesë gra dhe burra, të rinj e të moshuar, të cilët kërkuan një të ardhme me dinjitet, drejtësi dhe barazi në punë, për punëtorët, për shoqërinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




