Play-off NBA/ Detroit dhe Cleveland fitojnë ndeshjet e shtata dhe kalojnë në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes

Mbrëmja e kaluar ka dhuruar ndeshje me shumë emocion në NBA pasi çiftet Orlando-Detroit dhe Toronto-Cleveland kishin nevojë për ndeshje të shtata për tu zgjidhur.
Ekipi i Pistons arriti që pas shumë vështirësive të eliminonte Magic. Edhe pse mbyllën në vendin e parë sezonin e rregullt Detroit kishte vështirësi që të kalonte një pengesë si Orlando (e shtata), e cila duhej të ishte një rivale e lehtë në letër. Në Detroit heronjtë e takimit ishin të zakonshmit Cade Cunningham (32 pikë dhe 12 asist) dhe Tobias Harris (30 pikë dhe 9 topa në tabelë). Për miqtë nuk mjafton paraqitja dinjitoze e Paolo Banchero, të cilit i mungoi shumë Franz Wagner dhe nuk arriti që të evitonte eliminimin e skuadrës, e cila arriti të udhëhiqte serinë 3-1 vetëm pak ditë më parë.
Në Cleveland formacioni i Cavs ka mposhtur në takimin e shtatë ekipin e Toronto-s duke shfrytëzuar në maksimum faktorin fushë. Kjo seri u vendos në fundin e pjesës së parë dhe fillimin e pjesës së dytë kur formacioni vendas siguroi një avantazh të madh falë shifrave të pjesshme 49-21. Në këtë duel spikatën Donovan Mitchell (22 pikë) dhe James Harden (18 pikë), të cilët u ndihmuan shumë edhe nga Jarrett Allen, i cili dominoi poshtë tabelave duke shënuar 22 pikë dhe duke rikuperuar plot 19 topa.
Ndeshjet
DETROIT PISTONS-ORLANDO MAGIC 116-94 (4-3)
CLEVELAND CAVALIERS-TORONTO RAPTORS 114-102 (4-3)
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



