Seanca maratonë e Kuvendit/ Miratohet pas mesnate akti normativ për uljen e akcizës së karburanteve, pjesë e votimit edhe Kryeministri Rama

Politikë | 6 muaj më parë

Pas një seance maratonë të shoqëruar me diskutime dhe debate të forta, Kuvendi ka miratuar disa projektligje dhe vendime të rëndësishme, mes të cilave dhe aktin normativ për uljen e akcizës për naftën.

Sipas aktit të miratuar me 85 vota pro dhe 25 kundër, parashikohet që në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për naftën është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, do të zbatohet niveli 80% i akcizës.

Në procesin e votimit ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili më herët ishte thirrur në një interpelancë nga deputetët e Partisë Demokratike. Refuzimi që interpelanca të zhvillohej drejtpërdrejt me kreun e qeverisë ndezi përplasjet në sallë, ku opozita kërkoi edhe dorëheqjen e kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke e akuzuar se nuk po respektonte rregulloren dhe Kushtetutën.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, pas ndarjes së tij nga jeta. Më pas u miratua procesverbali i seancës së kaluar dhe u prezantua rendi i ditës.

Punimet vijuan me interpelancën e kërkuar me kryeministrin Edi Rama, e cila iu delegua Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Gjithashtu, u zhvillua edhe interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Në vijim, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, iu përgjigj pyetjeve të deputetes së opozitës Ina Zhupa.

Ndër aktet më të rëndësishme të miratuara ishte Akti Normativ për një shtesë në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i cili kaloi me 85 vota pro dhe 25 kundër. Kuvendi miratoi gjithashtu marrëveshjen ndryshuese për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi–Shqipëri 2021–2027 me 108 vota pro dhe vetëm 1 abstenim.

Me shumicë votash u miratuan edhe ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë”, të prezantuara nga Taulant Balla, si dhe ndryshimet në ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, të prezantuara nga ministrja Delina Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, opozita nuk arriti të kalojë disa nisma të saj, mes tyre projektligjet për ndryshimet në taksat kombëtare dhe akcizat, si edhe projektligjin për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse, të propozuar nga Enno Bozdo.

Seanca votoi edhe disa projektvendime të rëndësishme për institucione të pavarura. Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner i Avokatit të Popullit për Mekanizmin Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Alma Faskaj u emërua Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve, ndërsa Genta Tafa mori detyrën e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Po ashtu, Merita Bejtja u zgjodh Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë.

Në përfundim, Kuvendi miratoi edhe strukturën dhe organikën e Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura. Pas më shumë se disa orësh diskutime dhe përplasje politike, seanca plenare u mbyll rreth orës 00:35.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme