Prezantohet vizioni i ri për Kalanë e Elbasanit – Projekti synon transformimin në destinacion kulturor e turistik

Kulturë | 6 muaj më parë

U prezantua vizioni i ri për rivitalizimin e Kalasë së Elbasanit, një projekt që synon ta kthejë këtë monument historik në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik.

Prezantimi u bë nga arkitekti i njohur Emre Arolat së bashku me MVM Architecture, në praninë e kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe bashkëdrejtuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Projekti, i financuar nga AADF, do të sjellë ekspertizë nga arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë dhe shqiptarë, duke u fokusuar në rikthimin e identitetit historik të Kalasë, ruajtjen e vlerave arkeologjike dhe integrimin e saj në jetën e qytetit.

Ai parashikon ndërhyrje të integruara për përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e potencialit turistik dhe rijetëzimin e zonës historike, me synimin për ta kthyer Kalanë në një motor të ri zhvillimi ekonomik dhe kulturor për Elbasanin.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Elbasan, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, së bashku me AADF dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, do të ndjekin zbatimin e plotë të projektit, i cili pas prezantimit do të kalojë në fazën e rakordimit institucional dhe miratimit final.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme