Eurovision 2026, Rajmonda Bulku nga Vjena: Alis është një këngëtar me një zë brilant
Shqipëria ngjitet sonte në skenën e gjysmëfinales së dytë të Eurovision Song Contest, e përfaqësuar nga këngëtari Alis me këngën “Nân”.
Në këtë natë të rëndësishme në Vjenë, ku zhvillohet festivali, Alis do të performojë i 13-ti mes 15 konkurrentëve, ndërsa vetëm 10 artistë do të kualifikohen për finalen e 16 majit.
Nga Vjena, aktorja Rajmonda Bulku ka ndarë përshtypjet e saj në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Në Kohë Reale”, duke theksuar atmosferën e veçantë të festivalit dhe reagimin pozitiv të publikut ndaj Alisit. Ajo u shpreh se këngëtari po merr vëmendje të madhe kudo, duke krijuar emocione të forta te dëgjuesit dhe spektatorët.
“Situata këtu është shumë e bukur dhe është vërtet një eksperiencë e mrekullueshme dhe është fati im që u gjenda në këtë pozicion. Alisi e duan shumë sepse të mrekullon, i këndojnë këngën, e ndalojnë në rrugë, por edhe këto në ambientet e duan shumë. Nuk kalon pa vëmendje. Si duket ai emocioni i këngës, nuk e themi vetëm ne, por e thonë edhe këta që e dëgjojnë”, u shpreh Bulku.
Bulku tregoi gjithashtu se pjesëmarrja e saj në skenë si “nëna” e konceptit artistik të këngës ka evoluar gradualisht gjatë provave, duke shtuar më shumë emocionalitet në performancë.
“Të them të drejtën fillimisht kam menduar vetëm një foto, pastaj doli që mamaja duhet të jetë në skenë, pastaj mamaja duhet të vishet kështu, më pas duhet të vij në skenë, hap pas hapi erdhi dhe personazhi i nënës. Është shumë bukur sepse është një çudi, këtu të gjitha provat është salla plotë, dhe kjo është një surprizë shumë e madhe sepse të hyjmë në një sallë për të bërë prova dhe e gjejmë atë me 20 mijë njerëz. Pra ne japim nga dy-tre spektakle në ditë që janë me sallën plotë. Sot e kemi surprizë sepse ekrani është tjetër gjë dhe tjetër magji. Është ajo magjia që e shohin të gjithë dhe në urojmë që ta shohin të gjithë ata që e duan këtë këngë, këtë ambicie për të fituar Shqipëria dhe të na votojnë sepse ajo është një mbështetje shumë e madhe”, tha ajo.
Sipas saj, ndërthurja e elementeve tradicionale me modernitetin në skenografi dhe veshje i jep këngës një identitet të veçantë.
Sipas ekipit, prova finale është realizuar dhe gjithçka është gati për natën e madhe, ndërsa pritshmëritë për kualifikim në finale mbeten të larta.
“Provën finale sapo e kemi bërë dhe tani presim çastin final. Gjëja që na bën përshtypje me aq sa kemi parë deri tani është se mua më ndalojnë dhe më pyesin: ”ti je nëna e vërtet e Alisit?”. Kjo tregon se kemi sjellë emocione. Kjo do të thotë se kemi arritur objektivat që me nënën në skenë të shtohet emocioni. Alis është një këngëtar me një zë brilant. Përpara se të ngjisim shkallët kemi një urim me njëri tjetrin dhe unë ja them jo vetëm se më takon por Alis është një këngëtar me një vokal unik, por është një djalë shumë i mirë, i sjellshëm dhe ndonjëherë sa talent të jep Perëndia, të jep dhe modesti. Për veshjen është zgjedhur një motiv popullor që ka një ndërthurje edhe si një grua qytetarë e zakonshme edhe me një element tradicional të veshjeve tona”, tha Rajmonda Bulku.
Për publikun në Shqipëri që dëshiron të ndjekë magjinë e Eurovizionit dhe të mbështesë moralisht përfaqësuesin tonë, transmetimi do të bëhet live në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




