Kushtetuesja mbyll pa vendim çështjen e Veliajt, anëtarët kërkojnë më shumë kohë për t’u shprehur mbi masën e “arrestit me burg”

Kërkesa e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” u shqyrtua këtë të mërkurë nga Gjykata Kushtetuese. Mbledhja zgjati më shumë se një orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e palëve, vetëm mbi bazën e shqyrtimit të dokumenteve. Seanca u mbyll pa një vendim, pasi anëtarët kërkuan kohë për t’u shprehur në lidhje me kërkesën dhe pritet që ditët në vijim të mbahet edhe seanca që do të vulosë fatin e Kryebashkiakut.
Në argumentet që Veliaj ka depozituar para gjykatës, thotë se i është cenuar liria individuale, por sipas tij fakti që ai është Kryebashkiak e dyfishon vlerën e këtij cenimi, pasi nuk është lejuar të ushtrojë funksionin e tij si i zgjedhur me votë sipas Kushtetutës së vendit.
Veliaj gjithashtu argumenton se arresti me burg nuk është proporcional, pasi sipas tij Kodi i Procedurës Penale, pas disa kohësh, jep mundësi të lirisë kundrejt një garancie pasurore për të gjithë. Ai pretendon se i është shkelur e drejta për një gjykim të drejtë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme në argumentet e saj thotë se fakti që Veliaj ka funksion publik rrit gjasat që ky i fundit të intimidojë dëshmitarët, të penduarin e drejtësisë apo të prishë provat. Më tej, prokuroria shton se veprat penale për të cilat Veliaj akuzohet janë të vërtetueshme përmes një sërë provash.
Veliaj qëndron në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit 2025 dhe masën e sigurisë e ka ankimuar në të gjitha shkallët, duke nisur nga GJKKO, Apeli i Posaçëm, më pas edhe Gjykata e Lartë, e cila në datën 28 maj do të shqyrtojë kërkesën e tij. Rekursi në këtë organ vjen pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për të ndryshuar praktikën e paraburgimit, çka rrit interesin publik për këtë vendim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




