Shqipëria eliminon Francën me penallti, e pret Serbia në çerekfinalen e Kampionatit Europian të Socca-s

Kombëtarja shqiptare e Socca-s vijon rrugëtimin fantastik në Kampionatin Europian që po zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale pas triumfit ndaj Francës.
Sfida e raundit të 1/8-ave dhuroi emocione të shumta dhe spektakël për tifozët e pranishëm në stadium. Franca kaloi në avantazh me dy gola në pjesën e parë, duke e vendosur Shqipërinë në vështirësi, por kuqezinjtë reaguan në mënyrë të shkëlqyer.
Në minutën 20+1, Oltion Rrapa ngushtoi diferencën dhe riktheu Shqipërinë në lojë, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, në të 23-ën, Xhuljano Reçi realizoi golin e barazimit për 2-2, duke ndezur atmosferën në “Shtëpinë e Futbollit”.
Fituesi u përcaktua nga goditjet e penalltive, ku Shqipëria u tregua më e saktë dhe më e fortë psikologjikisht. Mehmet Hoxha realizoi një nga penalltitë për kuqezinjtë, ndërsa protagonist absolut ishte portieri Berisha, i cili priti dy penallti dhe udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit në çerekfinale.
Pas këtij suksesi të rëndësishëm, Kombëtarja shqiptare do të përballet sot pasdite me Serbinë në çerekfinale. Takimi do të zhvillohet në orën 18:45 në “Shtëpinë e Futbollit”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



