Final 4 për vajza/ Vllaznia – Apolonia, finalja e madhe e edicionit 2025/2026

Është përcaktuar finalja e madhe e kampionatit kombëtar të futbollit për vajza për edicionin 2025/2026. Vllaznia dhe Apolonia do të përballen më 29 maj në sfidën që do të vendosë skuadrën kampione të Shqipërisë.
Ditën e sotme u zhvilluan ndeshjet e dyta gjysmëfinale të fazës “Final 4”, ku Vllaznia konfirmoi formën e mirë, duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Gramshit në stadiumin “Reshit Rusi”. Shkodranet siguruan në mënyrë bindëse kualifikimin për në finalen e madhe.
Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër të luajtur në stadiumin “Loni Papuçiu”, Apolonia dhe Teuta barazuan 0-0. Duke qenë se edhe ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim 1-1, sipas rregullores në fuqi, kualifikimi i takon skuadrës së renditur më mirë në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit, me Apoloninë që siguron kështu biletën për në finale.
Finalja e madhe do të zhvillohet më 29 maj, ndërsa Departamenti i Garave në FSHF do të njoftojë në ditët në vijim stadiumin ku do të luhet kjo përballje vendimtare për titullin kampion.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




