Humbja nga vonesat e zbatimit te investimeve publike, studimi zbulon sfidën ekonomike dhe pasojat që shkakton
Koha e zbatimit të investimeve publike e sfidon një ekonomi me një kosto reale. Një studim i posaçëm ka realizuar se Shqipëria mund të kursejë 120-170 miliardë lekë deri në vitin 2030, nga ngritja e shkallës së përfundimit të projekteve në 25-30%.
“Është e rëndësishme të kuptohet që investimet publike nëse nuk zbatohen në kohë gjithmonë shkaktojnë një kosto të vonuar që ngel tek ne si qytetarë. Në rastin konkret, nëse marrim 10 vitet e fundit, do shikojmë që kosto e munguar në ekonomi, pra paratë që mungojnë në ekonomi, nëse do ishin realizuar në kohë, shkojnë mbi 159 miliard lekë. E thënë ndryshe janë mbi 1 miliard e gjysmë euro, të cilat nëse do kishin kryer në kohë të gjitha investimet publike do ishin brenda ekonomisë shqiptare. Infrastruktura dhe bujqësia janë dy sektorë të mëdhenj në të cilët kemi vonesat më të mëdha”, u shpreh eksperti i ekonomisë Ergis Sefa.
Humbjet konsiderohen edhe në arkëtim detyrimesh.
“Në rast se do i kishim projekte të realizuara në kohë, atëherë dhe të ardhurat nga tatimet në buxhetin e shtetit do ishin dhjetëra milionë euro më shumë në vit. Ne kemi studiuar pjesën e shifrave zyrtare dhe kemi përdorur metodologjinë e Bankës Botërore për të parë efektin e mundshëm nëse do ishin realizuar në kohë dhe efektin real, dhe diferenca fatkeqësisht për ne në Shqipëri është goxha e dukshme” tha eksperti.
Alarmi është edhe më i madh nëse konsiderohet zbatimi në kushtet e të qenurit vend evropian.
“Në rast se ne nuk e bëjmë këtë, dëmi i cili do shkaktojë në ekonominë vendase dhe në xhepat tonë në fund të fundit do të jetë edhe më i madh se kjo që ka shkaktuar, sepse ritmi i zbatimit në BE është një ritëm shumë herë më i lartë se ai që ne kemi aktualisht. Dhe nëse ne nuk e rrisim nivelin e performancës dhe produktivitetit që tani, do ta kemi akoma dhe më të vështirë dhe do të na vijë si një goditje, si një shok i cili në fund fare do përballet me qytetarin”, tha Sefa.
Analiza e mbi 350-400 projekteve reale zbulon se ekzekutimi i investimeve i kushton ekonomisë dhe qytetarëve mesatarisht 0.8 deri në 1.4% të PBB-së çdo vit.
“E para, planifikim më të mirë, qoftë nga ana e projektit teknik, qoftë nga ana e buxhetit dhe mbi të gjitha kjo është pjesa e rëndësishme, monitorim ditë për ditë, javë për javë i pikave të zbatimit të çdo projekti”, tha ai.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




