Momente jashtë protokollit në Bruksel, objektivi i 2027-s shoqërohet me shkëmbime batutash mes Ramës dhe Komisioneres Kos
Përtej agjendës strikte zyrtare dhe bisedimeve teknike të zhvilluara gjatë Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, konferenca e përbashkët për shtyp ka shënuar edhe momente jashtë protokollit. Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Kryeministri Edi Rama kanë shkëmbyer batuta publike lidhur me sfidat e procesit të anëtarësimit dhe kalendarin e synuar për përmbylljen e bisedimeve.
Gjatë fjalës së saj mbi objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat brenda vitit 2027, zyrtarja e lartë evropiane përdori një metaforë gjeografike për të ilustruar rrugëtimin e vështirë të integrimit.
“Kur flasim për datën, ju flas që mbështesim vizionin e qeverisë së Shqipërisë deri në fund të 2027 dhe më pas do t’i ngjitem Korabit së bashku me kryeministrin. Kjo është e vetmja piketë mbyllëse shtesë që kam pasur deri më sot”, u shpreh me nota humori Komisionerja Kos.
Në përgjigje të kësaj sfide simbolike, kreu i qeverisë shqiptare zhvendosi vëmendjen te pesha politike e vendeve anëtare në vendimmarrjen finale të unionit, duke theksuar në mënyrë të tërthortë rolin kyç të shteteve si Franca për anëtarësimin e plotë.
“Mund të bëjmë një kompromis, mund t’i ngjitemi kullës Eiffel kur Franca të thotë ‘po, mirëserdhët në klub’. Është më e vështirë se Korabi”, iu përgjigj Kryeministri Rama, duke shkaktuar të qeshura dhe duke nënvizuar kompleksitetin diplomatik që shoqëron procesin e zgjerimit evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




