50% e zyrtarëve të hetuar përfunduan në gjykim, 33 milionë euro asete të krimit u konfiskuan, SPAK rriti numrin e procedimeve

Aktualitet | 5 muaj më parë

Gjatë vitit 2025, rreth 50% e zyrtarëve të hetuar nga SPAK u dërguan për gjykim, ndërsa u konfiskuan afërsisht 33 milionë euro asete të lidhura me veprimtari kriminale.

Duke u mbështetur në këto rezultate dhe në performancën e institucioneve të akuzës, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi rekomandimet për vitin 2026, të strukturuara në tetë fusha prioritare.

Këto rekomandime vënë theks të veçantë te forcimi i hetimeve proaktive, intensifikimi i luftës kundër krimit financiar dhe adresimi i formave të reja të kriminalitetit.

“37% e procedimeve të reja të regjistruara janë kryesisht nga vet SPAK-u. Ka një rritje prej gati 50%, ku zyrtarët e lartë të hetuar nga SPAK i ka dërguar në gjykatë. Kemi 182 procedime korrupsioni të çuara për gjykim”, u shpreh ministri Gogu.

Kreu i SPAK, Klodian Braho, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional, duke theksuar se viti 2026 do të jetë viti i konsolidimit.

“Sigurimi i posaçëm mbetet i angazhuar për të forcuar më tej cilësinë e hetimeve, përdorimin e metodave moderne, hetimin financiar, bashkëpunimin ndërkombëtar, integritetin institucional dhe respektimin e drejtave procedurale”, tha Braho.

Nga ana tjetër, edhe drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, vuri theksin te arritjet e prokurorive në të gjithë vendin.

“Dy vitet e fundit vetëm prokuroritë e reduksionit të përgjithshëm kanë sekuestruar mbi 100 milionë euro asete. E vlerësojmë që mbetet një sfidë plotësimi i strukturave të prokurorive”, tha Olsian Çela.

Gjatë tryezës së diskutimit, institucionet u dakordësuan që puna e tyre të ecë paralelisht për t’i shërbyer edhe procesit të integrimit evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme