Luarasi: Zvërneci është projekt zhvillimi për Shqipërinë që do të shndërrojë statusin e turizmit nga masiv në elitar
Në emisionin “Trialog” të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, foli për projektin e Zvërnecit, protestat e fundit në Tiranë dhe për mesazhet e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Luarasi theksoi se kryeministri iu drejtua shqiptarëve dhe votuesve që i dhanë PS-së 83 mandate për të qeverisur, duke nënvizuar se forca e tij qëndron tek njerëzit dhe besimi i tyre.
“Nuk është çështje vetëbesimi, por një përpjekje për të sqaruar audiencën. Ai e kupton shumë mirë se forcën e ka tek njerëzit, dhe prej tyre fiton mandate qeverisëse,” tha deputetja socialiste.
Ajo shtoi se mesazhi i kryeministrit ishte i qartë: “Ne kemi premtuar që do jemi gjithmonë me ju dhe do bëjmë atë që ju doni.”
Deputetja Luarasi ndaloi edhe tek fenomeni i disinformimit, duke e cilësuar si një problem serioz në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Nuk po bëjmë teori konspirative, por ka studime pafund që tregojnë sa i fortë është disinformimi. Kur thua se do vijnë palestinezë nga Gaza dhe se ky është një projekt izraelit, kjo është një gënjeshtër. Nuk ka asnjë projekt për të sjellë refugjatë në Shqipëri, kjo është totalisht e pavërtetë,” u shpreh ajo.
Luarasi theksoi se projekti i Zvërnecit nuk ka lidhje me çështje të tilla, por është një projekt që synon të ndryshojë statusin e turizmit në Shqipëri, nga turizmi masiv në turizëm elitar.
“Turizmi elitar sjell 5 deri në 10 herë më shumë të ardhura për turist se sa turizmi masiv. Ky është një projekt që do të përfitojë vendi ynë dhe natyrisht që konkurron vendet fqinje,” tha ajo.
Deputetja e PS-së e mbylli duke theksuar se mesazhi i kryeministrit Rama ishte një garanci për votuesit se Partia Socialiste mbetet e përkushtuar ndaj qytetarëve dhe se projektet e saj synojnë zhvillimin e vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




