Kryeministri pakistanez apel për përmbajtje mes Izraelit dhe Iranit: Objektivi final i bisedimeve për paqe është afër

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët në mes të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, duke e cilësuar situatën si një “kujtesë të rreziqeve që vijnë nga një armëpushim i brishtë”.
“Në kohën kur po punojmë me seriozitet dhe me mund të madh, bashkë me vëllezërit dhe partnerët tanë, për të gjetur një zgjidhje paqësore diplomatike për konfliktin, dhe sidomos kur objektivi final është gati për t’u arritur, ne sinqerisht u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje”, tha Sharif në një deklaratë në platformën ‘X’.
Ai theksoi se të gjitha palët duhet të qëndrojnë “në rrugën e paqes dhe diplomacisë” në vend të “dhunës dhe shkatërrimit”.
Deklarata e kryeministrit pakistanez vjen në një moment të ndjeshëm ndërkombëtar, ku tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë rrezikuar të përshkallëzohen, duke ngritur shqetësime për stabilitetin rajonal dhe global.
Sharif e sheh dialogun diplomatik si rrugën e vetme të qëndrueshme për zgjidhjen e krizës. Pakistan i ka dënuar vazhdimisht veprimet ushtarake që çojnë në viktima civile dhe ka bërë thirrje për respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




