‘Shqipëria hap ambasadë në Dublin’, Hoxha pritet nga homologia McEntee: Irlanda mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit

Politikë | 5 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u prit në Dublin nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee, ku zhvilluan një takim të frytshëm mbi forcimin e partneritetit mes dy vendeve. 

Në postimin e tij në platformën X, Hoxha e cilësoi takimin si “shumë produktiv”, duke theksuar riafirmimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe angazhimin për zgjerimin e bashkëpunimit praktik në fusha kyçe si tregtia, investimet, turizmi, shërbimet digjitale dhe inovacioni. 

Një moment i rëndësishëm i bisedës ishte njoftimi i vendimit të Qeverisë Shqiptare për të hapur së shpejti një Ambasadë në Dublin, thuhet në njoftimin e ministrit, hap që pritet të thellojë më tej partneritetin dypalësh dhe të rrisë bashkëpunimin institucional. 

“Në këtë kontekst, e informova Ministren McEntee mbi vendimin e Qeverisë Shqiptare për të hapur një Ambasadë në Dublin në të ardhmen e afërt, një hap i rëndësishëm që do të thellojë më tej partneritetin tonë dypalësh dhe do të rrisë bashkëpunimin midis dy vendeve tona.

Hoxha vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në Irlandë, e cila shërben si një urë e rëndësishme mes dy shoqërive dhe ekonomive. 

Në takim u shpreh mirënjohja për mbështetjen e palëkundur të Irlandës ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit, veçanërisht në prag të Presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të BE.

Ministri Hoxha ndau një përditësim mbi progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, duke nënvizuar angazhimin për ruajtjen e ritmit të reformave dhe mbylljen e kapitujve. 

Në fushën e politikës rajonale dhe globale, të dy ministrat riafirmuan angazhimin e përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor si pjesë integrale të së ardhmes së saj. 

“Ndava një përditësim mbi progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke nënvizuar angazhimin tonë të fortë për të ruajtur ritmin e reformave, teksa përparojmë drejt fazës tjetër të negociatave, mbylljes së kapitujve. Lidhur me zhvillimet rajonale dhe globale, ne riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor si një pjesë integrale e së ardhmes së saj.-shkruan ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme