“Në Kohë Reale”/Sulmi ndaj kreut të AKU-së në Shkodër, flet për herë të parë Haderi: Më goditi me levë hekuri, dyshoj se lidhet me detyrën

Televizion | 3 muaj më parë

Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e dyshuar të përfshirë në sulmin ndaj drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi, ngjarje e ndodhur më 21 maj në lagjen “Rus”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e emisionit “Në Kohë Reale” në RTSH, Haderi ka rrëfyer detaje nga momenti i sulmit, duke theksuar se gjithçka ndodhi papritur teksa po kthehej në shtëpi.

Atë mbrëmje ka qenë rutinë si çdo herë që kam shkuar në punë, kam pasur takime të punës apo takime apo angazhime të tjera. Kam qenë duke u kthyer në shtëpi dhe është një itinerar rruge që e bëj gjithmonë, ka qenë një moment totalisht i papritur dhe unë kam qenë duke folur në telefon dhe në dorë kam pasur paketën e cigareve dhe ishte e papritur një sulm i tillë. Ngjarja ka ndodhur rreth 21:15 siç janë pamjet e kamerave. Në mëngjes duhej të bëja një intervistë televizive për të treguar rreth punës për muajt prill-maj dhe kam pasur një dinamik pune të jashtëzakonshme lidhur me kategorizimin dhe vlerësimin e subjekteve për baxhot”, u shpreh Haderi.

Sipas Haderit, agresori nuk i ka folur në asnjë moment, por e ka goditur vazhdimisht me një levë hekuri, duke synuar kryesisht kokën. Dy goditjet e para i ka marrë në fytyrë, ndërsa e treta pasi kishte rënë në tokë.

Të them të drejtën unë ashtu siç kam deklaruar edhe para organeve ligj zbatuese që trajtojnë rastin, mbaj mend që nuk më ka thënë asnjë fjalë veç kam ndjerë goditjet që më kanë ardhur dhe tentonte gjithmonë të më godiste në kokë. Mund të them se lagjen Rus e njoh mirë se jam rritur dhe banoj aty, por mbaj mend që dhunuesi tentoi të ikte në një rrugicë qorre dhe mbrapa u kthye në pjesën tjetër dhe ajo që më ka bërë përshtypje ishte që personi nuk ishte njohës i zonës. Ka pasur një levë hekuri që më ka goditur dhe dy goditjet e para i kam pasur direkt në fytyrë dhe goditja e 3 ka qenë në momentin kur kam rënë në tokë”, tha ai.

Drejtori i AKU-së deklaroi se të gjitha dyshimet e tij ia ka paraqitur organeve ligjzbatuese dhe se dyshon që sulmi mund të ketë lidhje me detyrën e tij, duke qenë se puna në institucion prek interesa të ndryshme.

Të gjitha dyshimet e mia dhe problemet ja kam shprehur policisë dhe dyshimi që kam pasur është që çdo lidhet me detyrën sepse kam pasur një detyrë shumë dinamike, është detyrë që ka të bëjë me jetën e njerëzve, është shumë sensitive dhe duhet të trajtohet gjithmonë me përgjegjshmëri por në momente të caktuara mund të preken edhe interesa”, tha drejtori i AKU.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme