Tragjedia në Plazhin e Tales, kryebashkiaku Ndreu reagon për humbjen e jetës së dy të miturave

Aktualitet | 5 muaj më parë

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas mbytjes tragjike të dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Ndreu e ka cilësuar ngjarjen si jashtëzakonisht të rëndë, duke u shprehur se në situata të tilla fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar peshën e tragjedisë, ndërsa u ka përcjellë ngushëllime familjarëve të viktimave.

Përmes këtij komunikimi zyrtar, kreu i pushtetit lokal ka ngritur shqetësimin lidhur me sigurinë në vijën bregdetare, duke vënë theksin veçanërisht te zonat bregdetare të cilat mbeten jashtë monitorimit institucional apo privat.

“Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia,” ka deklaruar Ndreu.

Sipas kryebashkiakut, mungesa e administrimit në këto hapësira specifike rrit nevojën për një vëmendje të shtuar nga ana e familjarëve dhe qytetarëve, posaçërisht për kategoritë më të rrezikuara.

“Infrastruktura e nevojshme për sigurinë e tyre,” sipas Ndreut, është e garantuar vetëm në zonat e menaxhuara, të cilat disponojnë sinjalistikën përkatëse dhe zona të identifikuara qartë për pushuesit.

Në mbyllje të reagimit të tij, Ndreu ka bërë thirrje për një angazhim të gjithanshëm me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen, duke nënvizuar se:

“Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.”

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme