Marrëdhëniet toksike, psikologia: Si t’i identifikoni dhe të mbroni veten emocionalisht

Sociale | 4 muaj më parë

Marrëdhëniet toksike mund të ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien emocionale, vetëbesimin dhe cilësinë e jetës së një individi. Psikologia Elsida Sinaj shpjegon se cilat janë shenjat që tregojnë se një marrëdhënie është toksike dhe pasojat që ajo sjell.

“Shpesh jetojmë në këtë marrëdhënie pa e ditur që, praktikisht, ajo është toksike, dhe nënçmimet e vazhdueshme që partnerët bëjnë ndaj njëri-tjetrit. Personi i cili është toksik është shumë manipulues, në kuptimin që tenton në mënyrë të vazhdueshme që partnerin ta akuzojë sikur është ai fajtori. Të jetuarit në një marrëdhënie toksike për një kohë të gjatë absolutisht e afekton gjendjen emocionale të personit. Pjesa që preket është vetëvlerësimi i individit. Fillon të humbasë besimin te vetja. Izolohet nga çdo gjë që ka qenë e rëndësishme për të. Mund të kalojë në një depresion dhe në një stres të zgjatur, dhe në shumë raste mund të kalojë edhe në marrjen e një vendimi ekstrem, që mund të jetë vetëvrasja”, tha ajo.

Ajo ndalet edhe te hapat konkretë që ndihmojnë në vendosjen e kufijve dhe mbrojtjen emocionale.

“Të identifikojmë cilat janë sjelljet që e dëmtojnë marrëdhënien. Pra, cilat janë elementet që kanë çuar në krijimin e këtij lloj toksiciteti. Vendosja e kufijve të qartë në këto marrëdhënie nuk është për të gjetur fajtorin, por për ta ndihmuar njëri-tjetrin të dalim nga ky lloj situate. Nëse vërtet ka dashuri brenda, fjala është ajo që e shëron shumë mirë një marrëdhënie”, tha psikologia.

Identifikimi në kohë i marrëdhënieve toksike dhe kërkimi i mbështetjes, kur është e nevojshme, mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit emocional dhe ndërtimin e marrëdhënieve më të shëndetshme.

Gazetare: B. Cina 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme