Berisha uron SHBA në 250-vjetorin e Pavarësisë: Ngjarje e madhe për mbarë njerëzimin liriadashës

Politikë | 4 muaj më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në reagimin e tij, Berisha e cilëson këtë ditë si një festë të madhe jo vetëm për amerikanët, por për gjithë njerëzimin që beson në liri.

Berisha nënvizon se për shqiptarët, roli i SHBA ka qenë vendimtar në momente kyçe të historisë.

“Sot, 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së. Të dashur miq, sot kombi i madh amerikan feston 250-vjetorin e Pavarësisë së vendit të tij. Amerikanët e festojnë këtë 250-vjetor më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt, por edhe me një lavdi e krenari si asnjë komb tjetër. Përgjatë këtyre 250 viteve, kombi i lirë amerikan, me gjeninë e tij krijuese, e shndërroi vendin e vet nga një ish-koloni e Mbretërisë së Bashkuar në vendin dhe kombin lider të njerëzimit në politikë, siguri, ekonomi, shkencë, arsim, shëndetësi, teknologji të lartë dhe në çdo fushë tjetër. Por, mbi të gjitha, në vendin lider të lirisë në botë. Prandaj, ky 250-vjetor është një ngjarje e madhe për mbarë njerëzimin liriadashës.

Për ne shqiptarët, kombi i madh amerikan dhe qeveria e SHBA-së kanë pasur, në disa momente kyçe, një rol përcaktues në historinë e lirisë së kombit tonë: në shpëtimin e Shqipërisë nga ata që donin ta fshinin nga faqja e dheut, si dhe në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Zoti i bekoftë SHBA-në, kombin dhe flamurin e tyre krenar!”, shkruan Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme