I nxehti shton fluksin në urgjencën e Kukësit, mjeku: Kujdes nga dehidratimi
Temperaturat e larta kanë sjellë rritje të fluksit të pacientëve në Urgjencën e Spitalit të Kukësit, ku çdo ditë paraqiten deri në 40 pacientë më shumë se zakonisht.
Sipas mjekëve, rastet më të shpeshta lidhen me hipertensionin, dehidratimin dhe helmimet nga ushqimi, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes me ushqimet.
“Kemi pasur shtim të rasteve me sëmundje që kanë të bëjnë me efektet e temperaturave të larta në organizmin e njeriut. Kemi pasur si tek mosha pediatrike dhe tek mosha e rritur një numër relativisht të lehtë, 30 40 vizita ditore”, tha mjeku .
Mjeku Neritan Biba thekson se temperaturat e larta ndikojnë veçanërisht tek personat e moshuar, fëmijët dhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike.
“Për sa i përket rasteve me sëmundje kronike, ajo mund të them që është një numër konstant. Pra, bëhet fjalë për një numër të caktuar, mund të themi për pesë vizita në ditë, 10 vizita në ditë”, theksoi mjeku.
Mjekët rekomandojnë konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit gjatë gjithë ditës. Ata theksojnë se kujdesi dhe reagimi në kohë janë mënyra më e mirë për të shmangur komplikacionet që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta të verës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




