Botërori 2026/ Zvicra me dhjetë lojtarë nuk i rreziston Argjentinës

Botërori 2026 | 4 muaj më parë

Argjentina është gjysmëfinalistja e katërt e Kupës së Botës. Skuadra e Scalonit do të ndeshet të mërkurën me Anglinë në Atlanta për një vend në finalen e madhe.

Kampionët në fuqi siguruan kalimin e turit pasi mposhtën Zvicrën 3-1 në kohën shtesë. Për helvetët ishte një ndeshje mjaft e komplikuar pasi edhe pse u mundën vetëm pas 120’ lojë u detyruan që të luanin prej minutës së 72’ me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Embolos.

Ndeshja u vendos nga goli i shkëlqyer nga Julian Alvarez (112’) dhe Lautaro Martinez (120’+1’).

Gjatë 90 minutave, Argjentina kaloi në epërsi në minutën e dhjetë me goditjen me kokë të Mac Allister.

Zviceranët barazuan në minutën e 67-të me një kombinim të bukur në zonë dhe një gjuajtje me të djathtën nga ish-lojtari i Bolonjës, Dan Ndoye, i cili mposhti Dibu Martinez.

Pika e kthesës së ndeshjes ishte përjashtimi i Embolos pesë minuta më vonë. Sulmuesi i Rennes u penalizua nga gjyqtari portugez Joao Pinheiro, pas një kontrolli VAR, për simulim.

Paredes-it, autori i dyshuar i faullit, iu hoq i verdhi ndërsa ky karton iu shfaq Embolos për të cilin ishte i dyti duke e lënë Zvicrën me 10 lojtarë. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme