Konferenca e IX Ndërqeveritare, Kos: Sot, një “Super e Martë” për zgjerimin e BE-së. Shqipëria mbyll 3 kapitujt e parë të negociatave

Politikë | 4 muaj më parë

Komisionarja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka cilësuar këtë të martë si një ditë historike për procesin e zgjerimit të BE-së, duke e quajtur atë një “Super të Martë” për vendet aspirante.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kos theksoi se për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillohen katër konferenca në të njëjtën ditë, me Ukrainën, Moldavinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi që po hedhin hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, shkroi Kos.

Komisionarja bëri të ditur se sa i përket Shqipërisë, se vendi do të shënojë një moment të rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit, me mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.

“Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, i cili mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani, ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, shkruan Kos.

Shqipëria zhvillon sot Konferencën e IX Ndërqeveritare me BE, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave që lidhen me arsimin, konkretisht Kapitulli 25 – Kërkimi shkencor, Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë

Delegacioni shqiptar do të drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalë në konferencë përkrah përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Mbyllja e këtyre tre kapitujve konsiderohet një zhvillim me rëndësi për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe një sinjal i progresit të vendit në përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme